Kontabiliteti financiar

Kontabiliteti financiar eshte proces dhe ka të bëj me pregaditjen, raportimin dhe interpretimin e informacionit kontabël, që u ofrohet përdoruesve nga drejtimi i njësisë ekonomike, kryesisht u komunikohet edhe përdoruesve të jashtëm te informacionit.

Kontabiliteti financiar është ajo pjesë e sistemit të kontabilitetit që merret me matjen dhe raportimin e gjendjes financiare dhe të rezultatit të biznesit gjatë një periudhë të caktuar, në përputhje me parimet e përgjithshme të pranuara të kontabilitetit. Ai siguron informacion në lidhje me marrëdhëniet e njësisë ekonomike me personat fizikë apo juridik, jashtë saj, si p.sh. me furnitorët, kreditorët, investitorët, shtetin etj., por jo edhe atyre që merren me përgatitjen e raporteve apo që kane qasje në detale. Aftësia e tyre për të kuptuar dhe të kenë besim në raportet, është e varur drejtpërsëdrejti në standardizimin e parimve dhe praktikave që ata i shfrytëzojnë për përgatitjen e këtyre raporteve.

Pa një standardizim të tillë të parimeve dhe praktikave, raportet e kompanive të ndryshme do të ishte vështirë të kuptohen e edhe më vështirë të krahasohen. Si rezultat kemi një varg procesesh të organizuara mirë për të ruajtur përputhjen dhe strukturën e raporteve financiare. Kjo është arritur përmes standardeve ndërkombëtare te kontabilitetit, përkatësisht (në Kosovë) standardeve kosovare të kontabilitetit.

Kontabiliteti financiar përfshinë pjesën e konsiderueshme të të gjitha funksioneve kontabël dhe paraqet një tërësi të përbërë nga :

  • udhëheqja e librave (ang. Book keeping),
  • planifikimi kontabël,
  • mbikëqyrja kontabël dhe
  • analiza kontabël e pasurisë, e detyrimeve dhe e kapitalit, përkatësisht e rezultatit financiar të ndërmarrjes.

Kontabiliteti financiar ofron të dhëna në formë të informatave të ndërlikuara të shprehura në raporte financiare. Ato janë :

  • Bilanci
  • Pasqyra e të ardhurave
  • Raporti për rrjedhjen e parasë (Cash Flow)
  • Pasqyra e ndërrimeve në ekuitet
  • Analizat financiare, përmes : raporteve te likuiditetit, raportet e rentabilitetit, raportet e tregut, raportet e drejtimit te aktiveve, te pasqyrës së llogarive të arkëtueshme et.

Qëllimet e kontabilitetit financiar

  • Regjistrimi sistematik i transaksioneve: qëllimi kryesor i kontabilitetit është regjistrimi sistematik i aspekteve financiare të operacioneve të biznesit (d.m.th. mbajtja e librave të llogarive).[1] Këto operacione të regjistruara më pas klasifikohen dhe përmblidhen në mënyrë logjike për përgatitjen e raportimeve financiare, si dhe për analizën dhe interpretimin e tyre.[2]
  • Përcaktimi i rezultatit të operacioneve të lartpërmendura të regjistruara: kontabilisti përgatit raportin e fitimeve dhe humbjeve për të mësuar rezultatin e operacioneve të biznesit për një periudhë të caktuar kohore. Nëse shpenzimet tejkalojnë të ardhurat, thuhet se biznesi po operon me humbje. Raporti i fitimeve dhe humbjeve ndihmon menaxhmentin dhe palët e ndryshme të interesuara të marrin vendime racionale.[3] Për shembull, nëse nuk është provuar që biznesi sjell fitim, menaxhmenti mund të hetojë shkakun e kësaj situate për të ndërmarrë masat e duhura për korrigjimin e saj.[4]
  • Përcaktimi i gjendjes financiare të biznesit: biznesmeni jo vetëm që është i interesuar të dijë rezultatin e biznesit në formën e fitim-humbjeve për një periudhë të caktuar, por gjithashtu kërkon të dijë çfarë ai duhet (detyrime) personave të tjerë dhe çfarë zotëron (aktive) në një datë të caktuar.[5][6]
  • Ofrimi i informacionit për përdoruesit për të marrë vendime racionale: kontabiliteti si "gjuha e biznesit" e transmeton rezultatin financiar të ndërmarrjes tek palët e ndryshme të interesuara nëpërmjet raportimeve financiare. Kontabiliteti është i fokusuar në përmbushjen e nevojave të personave që marrin vendime për informacion financiar dhe i ndihmon ata të marrin vendime racionale.[7]
  • Për të mësuar gjendjen e likuiditetit: me përgatitjen e bilancit të kontabilitetit, menaxhmenti jo vetëm që zbulon çfarë zotëron dhe çfarë është e borxhit të ndërmarrjes, por gjithashtu ofron informacion mbi aftësinë e korporatës për të përmbushur detyrimet e saj afatshkurtra, si dhe afatgjata kur maturimi i tyre afrohet.

References

  1. ^ "What Is The Primary Goal Of Accounting". livewell.com (në anglisht). Marrë më 2024-08-31.
  2. ^ "Accounting – Meaning and its Basic Concepts". www.taxmann.com (në anglisht). Marrë më 2024-08-31.
  3. ^ "Income Statement". accountingcorner.org (në anglisht). Marrë më 2024-08-31.
  4. ^ "Understanding an Income Statement". www.bench.co (në anglisht). Marrë më 2024-08-31.
  5. ^ "Profit and Loss Accounting". www.educba.com (në anglisht). Marrë më 2024-08-31.
  6. ^ "Financial Accounting". unibee.dev (në anglisht). Marrë më 2024-08-31.
  7. ^ "What is Accounting? Definition, Objectives, Scope, Need, Basics". investortonight.com (në anglisht). Marrë më 2024-08-31.