Shaban Sinani

Prof. dr. Shaban Sinani u lind në Ndërshenë (Dibër), më 16 prill 1958. Është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (2017). U formua në Universitetin e Tiranës dhe më pas në Institutin e Kulturës Popullore të Akademisë së Shkencave në fushën e antropologjisë kulturore dhe çmohet për kontributet e tij me studime në antropologji etnojuridike, të religjionit dhe identitetit; gjithashtu është studiues dhe historian i letërsisë, eseist dhe publicist shqiptar. Diplomuar më 1983; "doktor i shkencave" në antropologji kulturore (1998); "profesor" në të njëjtën fushë (2003).

Fushat kryesore të studimeve: etnokultura (etnos, epos, mitologji); historia e shkrimeve (kodikë e koleksione); tjetri në identitet (prania dhe mbrojtja e hebrenjve), studimet letrare.

Karriera: Gazetar në "Zërin e popullit" (1982-1985); ndihmës i Kryetarit të Shtetit për çështjet kulturore (1985-1992); punonjës shkencor e përgjegjës departamenti në Institutin e Kulturës Popullore (1992-1999); drejtor i përgjithshëm i Arkivave (1999-2005); punonjës shkencor e shef departamenti në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë (2005-2016); sekretar shkencor në Seksionin e Shkencave Shoqërore e Albanologjike të Akademisë së Shkencave (2016); sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave (2021).

Veprimtaria: Autor i mbi 40 librave monografikë e përmbledhjeve me studime, në shqip (mbi 35) e në gjuhë të huaj (5); bashkautor, përgatitës e përkujdesës i më shumë se 15 botimeve të tjera. Pjesëmarrës në ekspedita kërkimore antropologjike kombëtare. "Profesor i ftuar" për lëndët etnokulturë dhe antropologji kulturore në disa universitete jashtë vendit. Bashkëdrejtues i projektit të ribotimit të "Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia" (vol. I-II, 2002); kryeredaktor i botimit shkencor "Kodikët e Shqipërisë" (2003); në redaksinë ndërkombëtare të ribotimit të korpusit "Illyricum Sacrum" (vol. I-IX, 2005); drejtues shkencor i katalogut "Ottoman manuscripts in Albanian Archives" (2001); përgatitës e redaktor shkencor i botimit shqip të poemës "Shah-Name" (1999) dhe i përmbledhjes "Tri drama të pabotuara të D. Agollit" (2016); i dy vëllimeve "Akte të Kuvendit të Studimeve Albanologjike" (2022); si dhe i katër botimeve "Festschrift" (kushtuar D. Agollit, F. Altimarit, M. Mandalàsë, T. Jochalas); redaktor i artikujve për Shqipërinë në projektin ndërkombëtar "Incomka" (2003); ekspert shkencor për antroponimet në "Census Albania 2011"; përgatiti dhe realizoi regjistrimin e dy kodikëve më të vjetër të Shqipërisë "Beratinus-1" dhe "Beratinus-2" në programin e UNESCO-s "Memoire du Monde" (2005); hartoi e drejtoi programin ndërqeveritar "Modernizimi i arkivave kombëtare" (2000-2005); anëtar i komisionit kombëtar të UNESCO-s (2000); anëtar i komitetit kombëtar të AIESSEE-së; themelues i komitetit kombëtar të programit "Memoire du Monde" (2004); merr pjesë në projektin e BE-së "How to exorcise the hate" (skenarist i katër filmave dokumentarë, 2011); hartues projektesh dhe përgatitës i më shumë se 20 konferencave shkencore ndërkombëtare; bashkëhartues i katër dosjeve shkencore të përurimit të trashëgimisë shqiptare në listat botërore të UNESCO-s.

Nderime e mirënjohje: Urdhri "Naim Frashëri" i klasit II (1986); çmimi i dytë kombëtar vjetor i revistës "Hosteni" për novelë (1991); qytetar nderi i Beratit (2008); çmimi dhe kupa "Madonna e Argjendtë" për film dokumentar-shkencor si skenarist (2009); çmimi kombëtar "Faik Konica" për studim monografik (2012); "Mirënjohje" e shtetit të Izraelit për studim monografik (2014); çmimi kombëtar "Kult" për studim monografik (2015); "Urdhri i Pavarësisë" i Republikës së Kosovës (2016); çmimi vjetor i librit shkencor për studim monografik në konkursin e AIITC-së (2016); "Guest Professor" dhe "Distinguished Research Fellow" në universitetin BFSU të Pekinit (2018).  

Veprat kryesore: "Personalitete në albanologji" (studime, 2022); "Shekulli letrar i Ismail Kadaresë" (monografi, 2021); "Beyond the linguistic border: Albanian traditions and literature" (studime, 2021); "Codices, Statutes, and Jews in the Albanian history and space" (studime, 2021); "Antropologji e religjionit" (studime në antropologji kulturore, III, 2021); "Des valeurs européene d’identité albanaise" (studime, 2020); "Migjeni dhe Shkrimet" (monografi, 2019; "Antropologji etnojuridike" (studime në antropologji kulturore, II, 2019); "Vepra e Dritëro Agollit dhe Brezi i viteve 1960” (monografi, 2019); "Antropologji e identitetit" (studime në antropologji kulturore, I, 2018); "Studime krahasimtare në letërsi" (2018); "Hieronymi: në botën arbëreshe" (monografi, 2017); "Pyetje të tjera në albanologji" (studime, 2017); "Mite dhe demonë në veprën e Kadaresë" (monografi, 2016); "Historia e letërsisë shqipe: çështje të hapura" (studime, 2015); "Berat, Beratinus, Buhara" (monografi, 2015); "Kodikët kronografikë të Shqipërisë" (monografi, 2014); "Jews and Albanians: the Protection and Salvation" (monografi, 2014); "Hebrenjtë dhe shqiptarët: mbrojtja dhe shpëtimi" (monografi, 2013); "Ndajfoljet përemërore në gjuhën shqipe" (monografi, 2013); "Pyetje në albanologji" (studime, 2013); "Tradita gojore si etnotekst" (monografi, 2012); "“Njerëzit e krisur” të Dritëro Agollit" (studime, 2012); "Camaj i paskajuar" (monografi, 2011); "Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”" (monografi, 2011); "Etnos në epos" (monografi, 2011); "Kodikët e Shqipërisë në Kujtesën e Botës" (monografi, 2010); "Midis dy Rilindjesh" (studime, 2010); "Për letërsinë shqipe në shekullin e 20-të" (studime, 2010); "Hebrenjtë në Shqipëri - prania dhe shpëtimi" (monografi, 2009); "Për prozën e Kadaresë" (studime, 2009); "Prurje kulturore orientale" (studime, 2007); "Përveçime" (studime, 2007); "Një Shqipëri tjetër" (studime, 2006); "Ura dhe kështjella" (studime, 2006); "Le Dossier Kadaré" (studime e burime, 2006); "Një dosje për Kadarenë" (I-II, 2005); "Beratinus" (monografi, 2004); "Arkiva të hapur në shoqëri të hapur" (studime, 2002); "Mitologji në eposin e kreshnikëve" (monografi, 2000); "Kështjella e virtytit" (studime, 2001); "Sipërore" (studime, 1998); "Pengu i moskuptimit" (studime, 1997).