Kuçova

Kuçova
Popullsia
48,288
Faqja zyrtareBashkia e Kuçovës

Kuçova është një qytet në Shqipërinë e Juglindjes

Historia

Kuçova ka qenë vendbanimi i hershëm Ilir i fisit Desaret. Nga gërmimet e bëra në periferi të qytetit të Kuçovës (në komunën Perondi ku ndodhet sot Kisha e vjetër e Shën Nikollës) del se kjo trevë ka qenë një vendbanim i lashtë me një kulturë të zhvilluar, gjë që vërtetohet nga mënyra e ndërtimit të shtëpive dhe e shëtitores për banorët e saj. Kjo shëtitore ka përmasat e një bulevardi të vërtetë (10 m gjerësi dhe 50 m gjatësi) të shtruar me kalldrëm e me gurë të gdhendur bukur. Po kështu në kodrën e Omurit në juglindje të qytetit, janë gjetur punime mbrojtëse ilire e mbi të gjitha një pishtar (i ekspozuar në muzeun e Beratit), i cili shërbente për të sinjalizuar rrezikun armik nga njëra kala në tjetrën si dhe në të gjithë zonën. Nga gërmimet e bëra në vitet ‘40 – ‘50 të shekullit të kaluar u nxorën në sipërfaqe amfora, shpata e mburoja të kohës ilire.

Në kohët e Mesjetës është shfrytëzuar për teresa jetike të banorëve vendas edhe nafta e dalë në sipërfaqe me vetërrjedhje. Në fund të viteve 1700 – fillimi i viteve 1800, banorë kuçovare si fiset e vjetra Bolanët, Skurot e më vonë Kurtët, kanë shitur naftë bruto për myzeqarët, të cilët e përdornin për bucelat e rrotave të qerreve si vaj grasatues e më pas për djegie.

Në vitet e Luftës së Parë Botërore, në periferi të Kuçovës (aty ku sot janë varrezat e qytetit) u vendos një repart ushtarak austriak. Në vitin 1916, një inxhinier gjeolog, pjesëtar i këtij efektivi vuri re se uji i përroit që rridhte nga kodra e Omurit vinte me naftë. Pasi e shëtiti më këmbë vendin ai arriti në përfundimin se Kuçova ishte një vend me pasuri të mëdha nafte. Këtë fakt ai e bëri publik në vitin 1918. Që nga viti 1918 e deri në vitin 1924, në Kuçovë erdhën shumë shoqëri kërkuese nafte si AIPA (Azienda Italiana Petroli Albania), një shoqëri Anglo-Persiane, Shoqëria Amerikane e Naftës si dhe shoqëri franceze etj.

Në vitin 1928 në vendin që sot quhet “Dikatër” (D4) u shpua e dha naftë pusi i parë në Shqipëri. Që nga ky moment Kuçova u hodh në hartat gjeologjike të botës si vendburim nafte dhe më vonë edhe në hartat politike dhe ushtarake. Që nga viti 1928 e deri në vitin 1943, vendburimi i Kuçovës u shfrytëzua nga shoqëria amerikane AIPA. Kjo shoqëri bëri marrëveshje me qeverinë e Mbretit Zog I, që nëse prodhimi i naftës në vit do t’i kalonte 50 000 tonët, kjo shoqëri do të ngrinte në Kuçovë një rafineri. Por ndonëse prodhimi i kaloi 170 000 tonët, rafineria nuk u ngrit, përkundrazi nafta e nxjerrë nisej për t’u përpunuar në Itali. Në historinë e Shqipërisë, Kuçova përmendet edhe si qyteti ku është organizuar greva e parë e punëtorëve në vitin 1936.

Zhvillimin më të madh Kuçova e ka njohur pas Luftës së Dytë Botërore, sidomos në vitet 19751990. Popullsia e rrethit në fund të viteve 1980 arriti 32 000 nga 6 400 banorë që ishte në vitin 1938. Në vitin 1944, për stabilizimin e gjendjes shumë të rënduar në Kuçovë si pasojë e djegieve dhe shkatërrimeve të bëra nga pushtuesi, Qeveria e Përkohshme e Beratit urdhëroi ngritjen e një Komisariati të Jashtëzakonshëm për naftën. Ky komisariat do të kishte atributet e një drejtorie të përgjithshme, e cila do të vinte në punë të tërë sistemin e shfrytëzimit të vendburimeve.

Në vitin 1951, me vendim të veçantë të Qeverisë Shqiptare, në Kuçovë u krijuan 11 ndërmarrje ekonomike, ndërsa në vitin 1970 radhitej ndër qendrat më të zhvilluara në shkallë vendi. Në këtë periudhë në Kuçovë shtrinë veprimtarinë e tyre 15 ndërmarrje ku më të rëndësishmet ishin Uzina e Përpunimit të Naftës, Uzina Mekanike e Naftës, Shpim Shfrytëzimi, Ndërmarrja e Nxjerrjes së Naftës, TECI, Transporti, Ndërtim Montimi, Laboratori Shkencor i Naftës, Fabrika e Pluhurave Larës, Fabrika e Tullave(nder të paktat në Shqipëri që prodhojnë tulla me përqindje të lartë argjile), Shkolla e mesme politeknike (kjo shkolle ka arsimuar nxënës të ardhur nga të gjithë rrethet, shume prej të cilëve në ditët e sotme janë funksionare dhe pedagoge të rëndësishëm dhe me emër në universitetin e Gjeologji-Miniera) etj. Edhe pse Kuçova ka pasur një zhvillim industrial shumë të vrullshëm, deri në vitin 1991 ka qenë e përfshirë në rrethin e Beratit. Nga ai vit funksionon si rreth më vete, brenda Qarkut të Beratit.

Gjeografia

Përpara viteve 1990-te Kuçova bënte pjesë në rrethin e Beratit. Sot paraqitet si rreth me vete dhe kufizohet nga Berati në juglindje, Kuçova në juglindje dhe Lushnja në veri-perëndim. Kjo zonë ka një reliev kodrinor-fushor, klime mesdhetare me verë të nxehte dhe të thatë, dimër të ftohtë. Ky qytet ka arritur shifrën rekord në Shqipëri për temperaturën më të larte të regjistruar me 44,4 °C në korrik 1986. Në përgjithësi mbizotërojnë dherat e buta të kafenjta, të përshtatshme për kultivimin e shumë kulturave bujqësore (si të lashtat ashtu edhe shume drurë frutore veçanërisht ullishtë dhe vreshtat). Përshkohet nga lumi Devoll, në veri-perëndim në afërsi të fshatit Kozare.

Demografia

Aktualisht popullsia e rrethit Kuçovë është rreth 48 288 banorë. Nga kjo popullsi 30 441 banorë banojnë në Bashkinë e Kuçovës, duke e renditur të 12-tën nga 65 bashki në shkallë vendi. Dendësia e popullsisë kap shifrën 567 banorë/km², gjë që e rendit këtë rreth si më të populluarin në shkallë vendi. Raporti i shpërndarjes së popullsisë qytet-fshat është progresiv dhe tepër dallues në raport me rrethet e tjera në vend, duke variuar nga 63 % banorë në qytet deri në 37 % banorë në fshat.

Ekonomia

Kuçova ende vazhdon të ruaje fizionominë e dikurshme si qyteti i parë i industrializuar i Shqipërisë. Karakteristike e këtij qyteti është :

  • Ekzistenca e shfrytëzimit të vendburimeve të naftës dhe gazit, ku deri më sot janë shfrytëzuar vetëm 5 % e rezervave gjeologjike dhe 32 % e rezervave industriale të shfrytëzueshme.
  • Ekzistenca e industrisë së fuqishme mekanike, e përfaqësuar nga Uzina Mekanike e Naftës (U.M.N) dhe Uzina e Riparimit të Avionëve (U.R.A.), specifike në shkallë vendi për nga natyra e tyre.
  • Ekzistenca e industrisë së materialeve të ndërtimit e përfaqësuar nga fabrika e vetme në shkallë vendi për prodhimin e karton-katërmasë dhe bitumit të oksiduar si dhe dy fabrikave të tullave.
  • Ekzistenca e fabrikës së vetme të prodhimit të detergjenteve larës në shkallë vendi me teknologji italiane.
  • Ekzistenca e qendrës shkencore të kimi-përpunimit të naftës, karburanteve, lubrifikantëve dhe lendeve djegëse, e vetmja për nga natyra në shkallë vendi.
  • T.E.C.-i, i cili nëse vihet në shfrytëzim, furnizon me energji elektrike të gjithë prefekturën e Beratit (Kuçove-Berat-Skrapar) dhe është një nyje në sistemin kombëtar energjetik për zonën për zonën jug-perëndimore dhe atë qendrore.

Sot ky komunitet ka komoditetin të realizoje nevojat për shërbimet e komunikimit nëpërmjet Internetit dhe telefonisë fikse dhe celulare. Kuçova lindi si qytet i naftëtarëve dhe si i tille njihet deri në ditët e sotme. Ekonomia në vitet e kaluara ishte e bazuar tek burimet naftëmbajtëse dhe në funksion të tyre u ngritën dhe ndërmarrje si Uzina Mekanike e Naftës, Shpim Kërkimi, Shpim Shfrytëzimi etj, që punësonin një numër të konsiderueshëm punëtoresh.

Sot këto ndërmarrje kanë një numër të kufizuar punëtoresh dhe ekonomia është e mbështetur tek prona private dhe nga të ardhurat e emigranteve.

Kultura

Në juglindje të Kuçovës, më pak se 3 km nga qendra e qytetit, në fshatin Perondi gjendet një nga kishat më të vjetra, për të mos thënë më e vjetra në Ballkan akoma në këmbë. Ndërtimi i takon shek. të X dhe është një shprehje tipike e arkitekturës bizantine të veprave të kultit, ku në muratorë kombinohet guri me terrakotën dhe ku volumet modeste kompensohen me pasurinë e elementëve arkitekturore.

Pikërisht në skajin e kundërt, në juglindje të qytetit, por këtë radhë diçka më larg se kisha e parë, pra rreth 6 km, në vendin e quajtur Salc-Kozare ndodhet një kishë tjetër e denjë për të qenë objekt admirimi për vizitorët. I takon një kohe më të vonshme, por gjithashtu një shembull i shkëlqyer i arkitekturës së shek. XVII, e kishës me hajat të jashtëm dhe me një navatë të bollshme, në krye të së cilës është edhe ikonostasi prej druri, vepër e shquar e mjeshtërve shqiptarë të kohës.

Sport

Sporti ne Kuçove përfaqësohet vetëm nga futbolli. Ekipi i futbollit i qytetit është KF Naftëtari. KF Naftëtari është themeluar ne vitin 1945 dhe për here te pare ne Kategorinë e Pare (sot e quajtur Superliga) ka luajtur ne vitin 1946, kategori ne te cilën nuk është ngjitur prej me shume se 20 vjetësh. Ne sezonin 2009-2010 ekipi luan ne Kategorinë e Dyte. Trajner aktual i ekipit është SOFOKLI VASILI. Stadiumi i ekipit mban emrin e ish futbollistit te shquar te këtij qyteti Bashkim Sulejmani. Kapaciteti i tij është 5.000 vende.

Para viteve 1990 ekzistonte edhe një ekip volejbolli për vajza qe përfaqësohej shume mire ne rang kombëtar.

Politika

Bashkia e Kuçovës

Në qershor të vitit 2015 qytetaret e rrethit të Kuçovës iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit e pushtetit vendor.

Në Bashkinë e Kuçoves rezultatet e votimeve nxorën fitues për të parin mandat z. Selfo Kapllani që i përket koalicionit të majte me 47,93 % të votave. I dyti u rendit kandidati i të djathtës z. Dashnor Çela me 40,77 %

Për Këshillin Bashkia PS-ja ka fituar 6 nga 25 vende, PD-ja 5 vende, LSI-ja 7, PDR-ja 1, ndërsa partitë e tjera kryesore nga 1 vend.

Kantieri i naftës, Kuçova dhe kuçovarët

Kuçova, nafta dhe naftëtarët e saj si motori i zhvillimit dhe ecjes para, janë ngushtësisht të lidhur me njeri tjetrin dhe me një histori krejt të veçantë jo vetëm për Shqipërinë por edhe më gjerë.

  • Është kantieri i parë i naftës në Shqipëri, duke u bërë burimi i jetesës jo vetëm për vendasit por edhe për shumë të ardhur nga të gjithë krahinat e vendit, nga Saranda, Përmeti, Kolonja, Skrapari, Korça, Shkodra, Kukësi e Peshkopia, duke u bërë edhe shëmbull i mirë i bashkëjetesës dhe mbështetjes së njeri tjetrit.
  • Në Kuçovë dhe naftë, ka punuar dhe jetuar gjeologu i shquar Stanislav Zuber, personalitet me famë botërore. Ishte Kuçova dhe vetë Zuberi, që e bëri të njohur Shqipërinë, për burimet e naftës, në Kongresin Botëror në vitin 1924, pas së cilës filloi edhe interesimi i fuqive të mëdha për Shqipërinë.
  • Është Kuçova dhe kantieri i naftës që në shkurt të ’36, i tregoi popullit Shqiptar si të luftojë për të drejtat e tij, kundër shtypjes dhe shfrytëzimit të huaj.
  • Është Kuçova dhe kantieri i naftës ku jetoi dhe zhvilloi aktivitetin e tij disa dhjetëra vjeçar, deri në shuarje, një nga bijtë e familjes së madhe patriote të Toptanasve dhe nip i Naim Frashërit, inxhinieri i talentuar dhe i përkushtuar Sherif Toptani.
  • Ishte Kuçova dhe naftëtarët e saj që i treguan popullit shqiptar se për të ndërtuar një jetë më të mirë, për vehte dhe për fëmijët, duhej punuar me sakrificë dhe përkushtim. Për ne, janë të njohur dëshmorët e rindërtimit dhe të zhvillimit të kantierit të naftës në Kuçovë, që u bënë shëmbull frymëzimi për brezat pasardhës. Por si i ritur në mes të këtij kantieri, mbaj mend edhe Minella Savën, Stavri Pojanin, Sotir Tërpinin, Dhori Andonin, Todi Lengun, Llambi Maqinën, Muhamer Salën, Ndreko Nakuçin, Kozma Linon, Kristaq Gogollarin, Llambi Kokonozin, Lili Xhakon, Trush Mitrushin etj., dhe shumë të tjerë të gjithë mjeshtra në specialitetin e vet, të përkushtuar në shërbim të kantierit të naftës që për ne ishin heronj të gjallë.
  • Me Kuçovën dhe kantierin e naftës, lidhet jeta dhe veprimtaria e shumë specialistëve dhe kuadrove patriotë dhe të shquar nga i gjithë vendi, si Koço Pepa, Eqrem Beci me gjithë prindërit, Ramiz Xhabia, Minella Çami, Petrika Ballauri, Ilia Mihali, Stiljan Pili, Llazar Kreshpani, Beqir Alia dhe Petraq Xhaçka, etj etj. të cilët i dhanë Kuçovës dhe naftës, vitet më të mira, që ishin shembuj të përkushtimit, që krijuan në Kuçovë familjet e tyre duke u bërë shëmbull i kulturës dhe jetesës familjare.
  • Ka qënë Kuçova dhe kantieri i naftës, vendi i shembullit unik të solidaritetit dhe bashkëpunimit të sinqertë midis vendeve në zhvillim. Në Kuçovë, kanë derdhur djersën e tyre dhe kanë sakrifikuar edhe jetën, specialistë nga shumë vende të Ballkanit por edhe të Evropës Lindore. Kanë qënë me dhjetëra specialistët e huaj sëbashku me familjet e tyre që u rritën mes dashamirësisë së naftëtarëve.
  • Kuçova dhe kantieri i saj i naftës, ishin shumë arsimdashëse. Ajo, u bë shembulli i shkollimit masiv të naftëtarëve, nga kurset dhe shkollat profesionale me të talentuarit Mehmet Gina, Pali Bilça, Gani Qemo, Hamdi Krujën etj, me Filialin e Universitetit posaçërisht për naftën, që e bënë Kuçovën të jetë burimi i të gjithë punëtorëve të kualifikuar, mjeshtrave, teknikëve, specialistëve dhe kuadrove për të gjithë industrinë e naftës në vend, Patosin, Marinzën, Ballshin, Gorishtin, etj.
  • Por Kuçova ka qënë edhe mjaft artdashëse. Ajo, investoi, u krijoi hapësirën, zhvilloi veprimtarinë më intensive dhe më të gjërë në fushën e artit dhe të kulturës në vend, duke i dhënë kësaj fushe artistë të shquar si Gaqo Çakon, Vangjo Kostën, Agim Shuken, Burhan Spahiu, Donika Mingën etj etj, por formoi dhe i bëri muzikantë të shquar Tonin Rrotën, Zef Lekën, të apasionuarin e muzikës dhe punës me fëmijët Koço Korçarin, Nito Lalën dhe Luto Hasanin, që së bashku edhe me muzikantë të tjerë, e çuan me sukses disa herë Kuçovën në skenat e mëdha.

Kjo është historia e naftëtarëve të Kuçovës dhe qytetit të tyre, të cilën duhet ta njohin të gjithë të rinjtë jo vetëm këtu në Kuçovë. Me të, duhet të mburret edhe gjithë vendi sidomos në periudhën e sotme që ka nevojë pikërisht për ringjalljen e këtyre vlerave të profesionalizmit të lartë, të arsimdashjes, të artdashjes dhe mbi të gjitha të dashurisë për vendin dhe patriotizmin e spikatur të kuçovarëve.

Kuriozitet

Para viteve '20, më saktë para se të zbulohej se ky qytet ishte një zonë naftëmbajtëse prej shtetasve italiane, Kuçova ka qenë një zonë e paprekur nga zhvillimet industriale, një vendbanim me një popullsi shumë të vogël ku jetonin pak fise, përmend Goricarët, Priftallaret, Beqollaret, Brisqet, Polovinasit, Skurat, Bullaret. Territori ka qenë i mbuluar me së shumti prej shkurreve.

Shiko edhe këtë

Lidhje të jashtme