Mevlana Xhelaludin Rumi

Xhelaludin Rumi mbledh mistikët Sufi.
Një poezi kushtuar Rumit e shkruar në osmanisht.

Xhelaluddin Muhammed Rumi (persisht: جلال‌الدین محمد رومی) ose Xhelaluddin Rumiu, i njohur edhe si Mevlana (persisht: مولانا, "Mjeshtri ynë"[1]), ishte një poet, jurist, dijetar islam, teolog dhe mjeshtër i sufizmit (përshpirtshmërisë islame) përgjatë shekullit XIII. Ka lindur më 30 shtator 1207 në Vahsh të Persisë[1] apo në Belh (në Afganistanin e sotëm) dhe ka vdekur më 17 dhjetor 1273 në Konja të Turqisë së sotme.

Poezitë e tij janë të shkruara në persisht dhe të përkthyera në shumë gjuhë të botës. Rumi ka jetuar në kohën e selxhukëve dhe ka shkruar, përveç se në persisht, edhe në arabisht, greqisht dhe në turqisht.

Poema Mathnawī (e njohur në shqip si Mesnevia), kompozuar në Konja, mund të konsiderohet një nga lavdet letrare më të pastra të gjuhës perse. Veprat e tij janë lexuar gjerësisht në gjuhën e tyre origjinale në gjithë Iranin e Madh dhe në botën persisht-folëse.[2][3] Përkthimet e veprave të tij janë shumë të njohura, sidomos në Turqi, Azerbajxhan, Shtetet e Bashkuara, dhe Azinë Jugore.[2] Poezia e tij ka ndikuar në letërsinë perse, por edhe turke, panxhabe, hindi, urdu si edhe në literaturat e disa gjuhëve indo-ariane përfshirë gjuhët çagatai, pashto, dhe bengali.

Jeta

Rumi u lind në një shtëpi persisht-folëse[4] me origjinë nga Belhi (qytet i Horasanit i cili gjindet në Afganistanin e sotëm). Babai i tij, Burhanudin Veledi, ishte një ndër dijetarët dhe mjeshtërit më të mëdhenjë sufi të vendit. Ai njihej me nofkën "Sulltan-ul Evlija" që në shqip domethënë "Sulltan i evlijave" apo "Mbret i miqve të Zoti". Nëna e Mevlanës quhej Mumine Hatun dhe ishte e bija e Ruknydinit, sundimtarit të Belhit të atëhershëm. Me anë të kësaj mund të vërejmë se Mevlana Xhelaluddin Rumi ishte rritur në një ambient të pasur dituror dhe shpirtëror.

Për shkak të dyndjeve mongole, familjes së Mevlanës iu deshtë të shpërngulej nga Belhi dhe të marrë udhë drejt perendimit. Thuhet se ata në fillim u nisën për në Nishapur me 300 nxënësit e apo dervishët e shejh Burhanudinit, për të vazhduar më pas rrugëtimin drejt Qabes e për të përfunduar në Konjën e Selxhukëve. Me ndalimin e tyre në Nishapur, evlijaja i mirënjohur Feriddudin Attari, autor i veprës së mirënjohur "Kuvendimi i Zogjve" (sjell në shqip nga Artan Sadiku), i sheh babain me të birin 5 vjeçarë dhe e shpreh thënien e tij famëmadhe:


"Ja ku po vjen një oqean që ndjek lumin pas"


duke aluduar se Rumi është një oqean e babai i tij veçse një lum krahas tij.

Veprat

Mevlana Rumi ka lënë mbrapa një sër veprash, ndër to mund të përmendim:

  • Divani i Shamsi Tabrizit apo ndryshe njohur edhe si Divani Kebir (shq. Divani i madh)
  • Mesnevia (6 vëllime) - e njohur edhe me nofkën "Kurani në persisht", kjo për arsyen se thuja çdo rrëfim përmend, shpjegon dhe thellohet në ajetet Kuranore.
  • Fihi Ma Fihi
  • Mexhalisi Seb'a
  • Muraselat
  • Habname
  • Hërkai Qamil
  • Trashname

Ku pesë të fundit përmenden nga Sheh Muharrem Mitrovica në një artikull të shkruar për Revistën Njeriu në vitin 1943[5].

Përkthime të veprave të Mevlanës në shqip

Mesnevia

Hazreti Mevlana Rumit, si një mjeshtër me nam të madh shpirtëror në traditën islame, padyshim se i ka ardhur zëri edhe deri në Ballkan, rrjedhimisht në vendet shqipfolëse. Një ndër përkthimet e para të Mevlanës në shqip e kemi edhe shqipërimin dhe përshtatjen e vargjeve të para të Mesnevisë nga Naim Frashëri në poezinë e mirënjohur "Fyelli" (krahasojeni me përkthimin e Sheh Muharrem Mitrovicës më poshtë). Por, përkthimin e parë të plotë të gjashtë vëllimeve të Mesnevisë nga persishtja në shqip e sjell Mit'hat Hoxha.

Fihi Ma Fihi

Fihi Ma Fihi janë të mbledhura sohbetet apo kuvendimet e Hazreti Mevlanës me dervishtë e tij. Përndryshe prej Mesnevisë që është në formë dyvargëshe dhe në formë poeme, Fihi Ma Fihi ta jep ndjesinë e pranisë së drejtpërdrejt të Mevlanës dhe të folurit të tij nëpër mexhlise (mbledhi).

Në shqip gjendet me titull "Kuvendimet" shqipëruar nga përkthimi i Annemarie Schimmel-it në gjermanisht.


Kuvendimet (Fīhi mā Fīhi), Rumi; përkthyes Ervin Lani. (Tiranë: Zenit, 2021).


Antologji (përmbledhje vargjesh apo gazelesh)


Një ndër përkthyesit e Hazreti Mevlana Rumit në shqip është edhe Edin Q. Lohja i cili ka sjell disa antologji të poezive të Mjeshtrit.

Disa prej këtyre titujve janë:

  1. Flakërime Dashurie, Rumi; përkthyes Edin Q. Lohja (Prishtinë: Pema, 2018)
  2. Dielli i Dashurisë, Rumi; përkthyes Edin Q. Lohja (Prishtinë: Jeta, 2022)


Disa vargje të Mevlanës janë përkthyer e botuar edhe nga shtëpia botuese Pupëza. Ku një numër prej tyre mund të gjenden në libërthin e ashtuquajtur "Libër n'za". "Libër n'za" mund të dëgjohet edhe në platformën Soundcloud


Shqipërime të ndryshme në shqip online

  1. Një faqe serioze me përkthim goxha të bukur të gazeleve të tij në facebook është edhe Pupëza. Pupëza ka edhe një seri recitimesh të poezive në platformën soundcloud, ku ndër tjerash është edhe poezia e Rumit "Mos shko pa mu".
  2. Një uebfaqe që her pas here paraqet përkthime të vargjeve të Xhelaluddin Rumit është edhe Trandofilishta te rubrika e posaçme për Mevlana Rumin.

Përkthime të veprave të Mevlanës në gjuhën angleze

Mesnevia në anglisht


Përkthim nga R. A. Nicholson


Bota perëndimore është njohur më mirë me Rumin dhe poezinë e tij në shekullin e njëzetë edhe pse hovi i tij është ndier më shumë me variantet apo verzionet e përkthyera nga Coleman Barks. Para se t'i themi dy fjalë rreth varianteve të ndryshme duhet të cekim se përkthimin e parë të plotë të Mesnevisë në anglishte e kemi dhuratë nga puna e paçmueshme e R. A. Nicholson . Baraka Blue, një dashamir i Mevlanës, tregon se në fund të jetës së tij ai u verbua nga të shfletuarit dhe analizuarit e shumtë të teksteve dhe dorëshkrimeve të vjetra që ai i kishte në shërbim për përkthim. [6] Ky përkthim karakterizohet si përkthim i fjalëpërfjalshëm dhe jo i rimuar i Mesnevisë.


Përkthimi i R. A. Nicholson-it mund të shfletohet lehtas online në www.masnavi.net. Arkivuar 18 gusht 2023 tek Wayback Machine


Përkthim nga Xhavit Moxhadedi (Jawid Mojaddedi)


Përkthimi i Moxhadedit është një ndër përkthimet më të vona të Mesnevisë në gjuhën angeleze, botuar nga Oxford World's Classics. Deri më tash (viti 2023) janë përkthyer pesë vëllime të saj. Përndryshe prej përkthimit të Nicholson-it, ky përkthim edhe i rri besnik tekstit edhe bukurisë me anë të melodisë dhe rimave.


Përkthimet:

  1. The Masnavi: Book One, Rumi; translated by Jawid Mojaddedi (Oxford University Press, 2008)
  2. The Masnavi: Book Two, Rumi; translated by Jawid Mojaddedi (Oxford University Press, 2008)
  3. The Masnavi: Book Three, Rumi; translated by Jawid Mojaddedi (Oxford University Press, 2014)
  4. The Masnavi: Book Four, Rumi; translated by Jawid Mojaddedi (Oxford University Press, 2017)
  5. The Masnavi: Book Five, Rumi; translated by Jawid Mojaddedi (Oxford University Press, 2022)


Fihi Ma Fihi në anglisht


Dy përkthimet e Fihi Ma Fihi-të në anglishte janë:

  1. Discourses of Rumi (or Fihi Ma Fihi); translated by A. J. Arberry (John Murray, 1961)Ka edhe ribotime të tjera.
  2. Signs of the Unseen: The Discourses of Jalaluddin Rumi; introduction & translation by W. M. Thackston, Jr. (Shambhala, 1999)


Divani i Shamsi Tabrizit në anglisht


Divani i Shamsi Tabrizit është vepra më voluminoze e Hazreti Mevlana Rumit e cila për fat të keq ende nuk është sjell e plotë as në gjuhën angleze, por gjithsesi kemi disa përmbledhje gazelesh të përkthyera nga autorë të ndryshëm. Një ndër to është edhe:

  1. Selected Poems from the Dīvāni Shamsi Tabriz; translated by R. A. Nicholson

Disa vargje të Hazreti Mevlana Rumit në shqip

Vepra 6 vëllimshe e Mesnevisë fillon me këto vargje të cilat Sheh Muharrem Mitrovica i ka sjell për bukuri në shqipe në vitin 1943 tek revista Njeriu[5]:


Transliterimi nga persishtja:


Bishnev ez naj, çyn hiqajet, miqyned,

Ez xhydajiha shiqajet, miqyned;

Qez nejestan, ta mera bibyride-end,

Ez nefirem, merdu zen nalide-end;

Sine hahem, sherha sherha, ez firak

Ta bigjujem, sherhi derdi ishtijak;

Ateshest in, banq'naji, nist bad,

Herqi in atesh nedared, nist bad.

Që do të thotë:


Pa digjo fyllin se ç' thotë

Nga mërgimet qahet sot

Prej fyllishtes kur më ndanë

Burra, gra nga mua qanë;

Krahnorin e kam me vrima,

Prej të ndamit plotë pshertima;

Zani t'im âsht zjarr jo erë

Mos qoft kur, kush s'ka ndjerë.


(Mesnevia I, vargjet 1-9)


Vargjet dhe gazelet e Hazreti Mevlana Rumit dhe sufive të tjerë kanë zakon të këndohen prej këngtarëve me nam të botës persisht-folëse (apo ato orientale në përgjithsi), e një ndër ta është padyshim maestro Shahram Nazeri. Edhe pse në gjuhën shqipe nuk e kemi një traditë të tillë, disa nga vargjet e mësipërme janë kënduar edhe nga Enris Qinami, këngtar shqipfolës nga Tirana me titullin "Listen to the ney".


Një gazel tjetër i kënduar nga persisht-folësit është edhe gazeli numër 2131 në Divanin e Shamsi Tabrizit, nga Ansambli Hamdel, Sejid Ali Xhaberi dhe Sina Sarlak-u me titull "In the Heart of Fire" që në gegë Trandofilishta e solli si "Mu n'zemër t'zjarrmit". Me lejen e tyre po e sjellim edhe këtu:

Transliterimi nga persishtja:

Hilat rahâ kon ʿâshekâ, dîvâne sho, dîvâne sho

v'andar del-e âtesh dar â parvâne sho, parvâne sho

Ham khîsh râ bîgâne kon, ham khâna râ vîrâna kon

v'angah bijâ bâ ʿâshekân hamkhâne sho, hamkhâne sho

Ro sîna râ çûn sînahâ haft âb sho az kînaha

v'angah sharâb-e ʿishk râ pejmâne sho, pejâne sho

Bâjad keh xhomla xhân shavî tâ lâjik-e xhânân shavî

gar sûxh-e mastân mîravî mastâne sho, mastâne sho

Çûn xhân-e to shod dar havâ z'afsâne-je shîrîn-e mâ

fânî sho vo-çūn ʿâshekân afsâne sho, afsâne sho.


Që do të thotë:


Leje hilen o ashik, abdall, abdall bonu

mu n'zemër t'zjarrmit, pervanë, pervanë bonu.

Prej vetvetes bonu i huj, shpinë tande rrëno

e hajde te ashiktë e bashkë, bashkë me ta bano.

Me shtatë oqeane, zemrën si zemrat laje prej ligësie

e masnej bonu kupë, kupë për venë dashnie.

Për Shpirtin e shpirtnave me kon i denjë, duhesh krejt shpirt me u bo

nëse don me shkue kah pijanecat, i dehun, i dehun shko.

Masi prej mitit tonë t'ambël shpirti kah qiellnat t'u ngrit

kalo, fani bonu, e si ashiktë bonu nji mit, nji mit![7]


Divani Shamsi Tabrizi (Gazeli 2131)

  • Shënime: abdall - i çmendur; pervane - flutur; fani bonu - asgjësohu, bëhu hiç.

Njohja e gjuhëve si ajo e persishtes, turqishtes, greqishtes, përfshirë edhe arabishtes nga ana Mevlanës vërehet edhe në disa gazele të tij, ku ai her pas here përdorë fjalë të një gjuhe tjetër, e herë edhe e qëndisë gazelin me një varg në persisht e një në turqisht. Një shembull të tillë na sjell Sheh Muharrem Mitrovica në jetëshkrimin e tij mbi Xhelaluddinin [5]:


Transliterimi nga persishtja dhe turqishtja:


Mahest nemidanem hurshidi ruhat ja ne,

Bu ajrillëk uduna nixhe xhigjerëm jane;

Myrdem zi firaki tu, myrdem qi heme danend,

Ashk udu, nihan ollmaz janar dyshixhek xhane;

Sad tire zened, ber dil, an tyrqi qeman ebru,

Fitneli ela gjyzler, çyn ujkudan ujane;

Ej Shahi Shexhaud-din shemsyl-hak Tebrizi,

Rahmetten egjer nolla bir katre bize tane.


Që do të thotë:


Mos âsht vall'ajo hanë rreflekti i faqes s' ate?

Mushkrit m'i dogji ndarja, më thuaj me mua ç' pate;

Nga ndarja jote vdiqa... këtè të gjith e dinë!

Qi zjarr i ashkut s' pshihet, shpirtin kur përshinë.

Fytyra e Lejlasë: gjithnji qëllimi im!...

Bërtas posi Mexhnuni, pa mend e pa gjykim!

Shigjeta m'arin mbi zembër, ng' aji hark i vetllës-shkruarë

Nga syt e tu të bukër, prej gjumit më të zgjuarë;

O mbreti Shexhaud-din, Diell i Hakut Tebriziu!

Ç' ndodh? sikur nji pik' mëshire të më çosh... po pres i ziu!


Një tjetër shembull të ngjashëm, ku Mevlana përdorë fjalë greke në gazelin e tij është edhe gazeli i mëposhtëm, prapë i përkthyer nga Sheh Muharrem Mitrovica[5]:


Transliterimi:


Nim sheb ma' shuki ma, dani çi migjujed horos,

Hiz shebra zinde dar ve ruz-rushen nystrikos

O horosest der harush, ve tu hemi der hab' hosh,

Nami ora tajr hani, nami hodra Antropos


Që do të thotë:


Në mes të natës O i dashun, a e di ç'thot aji horos, (1)

Ngrehu! natën mbae gjall, ditën ji në nystrikos (2)

Aji gjel tue qenë âsht i gjall e ti fle gjum,

Dhe i thue atij zog vehtes t' ande Antropos; (3)


Ku 1) Horos = gjel 2) Nystrikos = agjenim. 3) Antropos = njeri

Galeria

Referime

  1. ^ a b Lohja Q., Edin (2022). Dielli i Dashurisë: Vargje të zgjedhura. Prishtinë: JETA. ISBN 9789951904131.
  2. ^ a b Annemarie Schimmel, "The Mystery of Numbers",Oxford University Press, Apr 7, 1994. p. 51: "These examples are taken from the Persian mystic Rumi's work, not from Chinese, but they express the yang-yin relationship with perfect lucidity."
  3. ^ Seyyed Hossein Nasr, "Islamic Art and Spirituality", Suny Press, 1987. p. 115: "Jalal al-Din was born in a major center of Persian culture, Balkh, from Persian speaking parents, and is the product of that Islamic Persian culture which in the 7th/13th century dominated the 'whole of the eastern lands of Islam and to which present day Persians as well as Turks, Afghans, Central Asian Muslims and the Muslims of the Indo-Pakistani subcontinent are heir. It is precisely in this world that the sun of his spiritual legacy has shone most brillianty during the past seven centuries. The father of Jalal al-Din, Muhammad ibn Husayn Khatibi, known as Baha al-Din Walad and entitled Sultan al-'ulama', was an outstanding Sufi in Balkh connected to the spiritual lineage of Najm al-Din Kubra."
  4. ^ Annemarie Schimmel, The Triumphal Sun: A Study of the Works of Jalaloddin Rumi, SUNY Press, 1993, p. 193: "Rumi's mother tongue was Persian, but he had learned during his stay in Konya, enough Turkish and Greek to use it, now and then, in his verse".
  5. ^ a b c d Mitrovica, Sheh Muharrem (1943). "Meulana Xhelalyd-dini Rumi". 'Revista NJERIU'. 2 (6): 5–7 – nëpërmjet Biblioteka Digjitale BKSH.
  6. ^ Blue, Baraka. "Hjekja e Islamit prej Rumit dhe Rumit prej Islamit". Trandofilishta (në shqip (gegë)).{cite web}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) Mirëmbajtja CS1: Gjuhë e panjohur (lidhja)
  7. ^ "Mu n'zemër t'zjarrmit". Trandofilishta (në shqip/gegë). 22.06.2023. Marrë më 18.08.2023. {cite web}: Shiko vlerat e datave në: |access-date= dhe |date= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) Mirëmbajtja CS1: Gjuhë e panjohur (lidhja)